Wednesday, September 3, 2014

"Zgjidhja juridike" e Kushtetueses dhe kriza politike e Kosovës

"Zgjidhja juridike" e Kushtetueses dhe kriza politike e Kosovës

Shkruan: Nehat Hyseni

Anulimi i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut 2014, nga Kushtetuesja, duke e mbështetur bllokimin dhe obstruksionet e PDK-së, e cila si pakicë parlamentare me më pak se 1/3 e deputetëve, arriti që me obstruksionet e z. Brovina, deputete e PDK-së e cila udhëhoqi mbledhjen në cilësinë e deputetes më të vjetër dhe me lëshimin e mbledhjes nga PDK, pas dhënies së betimit, paraqet lojë të papranueshme politike dhe humbje kredibiliteti të politikës sonë dhe imazhit të saj në botën demokratike. si dhe zhgënjimin e thellë ndaj institucioneve shtetërore në popull.

Ky zhgënjim i madh vjen pikërisht nga institucioni i Kushtetueses, e cila përmbysi parimet themelore të demokracisë moderne, duke anuar haptas nga PDK dhe duke instaluar një parim të pa pranueshëm në botën demokratike, të mbështejes së paarsyeshme dhe joparimore të pakicës së PDK-së, ndaj shumicës së Koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma.

Kjo mbështetje këmbëngulëse e Kushtetueses ndaj PDK-së synon t'ia siguroj fitoren me çdo kusht dhe mandatin e tretë kësaj partie dhe Hashim Thaçit, pa çka se rrënohen parimet elementare të demokracisë dhe të besimit të popullit ndaj institucioneve demokratike dhe shtetit. 

Kësaj fushate të paskrupulltë për instalimin e sërishëm të PDK-së në pushtet i janë bashkuar pikërisht ato institucione të cilat do duhej të ishin garancë e domokracisë, unitetit dhe paanësisë politike: Kushtetuesja dhe Presidentja e Republikës së Kosovës!

Derisa e para, dmth Kushtetuesja e bllokoi punën e Kuvendit, kryetarit dhe dy nënkryetarëve të saj, së pari me vendimin e përkohshëm, e pas seancës dëgjimore edhe me vendimin definitiv, si dhe  Presidentja si shefe e shtetit të Republikës së Kosovës, e cila luan rolin e strucit, duke "futur kokën në rërë" dhe duke tentuar të mëshifet pas Kushtetueses, me kërkesat e saja për sqarimin e çështjeve të thjeshta, madje banale, nga ajo.

Veprimet e tilla antidemokratike dhe humbja e kredibilitetit në performansën e tyre, si dhe animi kah një forcë politike, duke synuar që me çdo kusht ta mbajnë dhe ta instalojnë sërish në pushtet PDK-në dhe Hashim Thaçin, edhepse nuk i kanë numrat dhe t'i kundërvihen shumicës politike të Kosovës, paraqet mohim dhe shkelje flagrante mbi parimet themelore të demokracisë tek ne, duke bllokuar vendin dhe duke krijuar krizë politike dhe mllef të paparë në masat popullore.

Ardhmëria e këtij vendi, për herë të parë në historinë e vet pesëmbëdhjetvjeçare të pasluftës, ka filluar të shikohet me frikë dhe ankth, e mbi të gjitha edhe me mllef tē papërmbajtur, meqë synohet që me çdo kusht t'u imponohet partive politike që kundër dëshirës dhe vullnetit të tyre politik të bëjnë koalicion me PDK-në, edhepse dihet botërisht se të gjitha ato nuk e dêshirojnë dhe e refuzojnë me këmbëngulje këtë.

Mbledhja e ardhëshme e Kuvendit të Kosovës do të caktohet, thirret dhe udhëhiqet sërish nga deputetja e PDK-së, zonja Flora Brovina. 

A e dini pse?

Sepse, ashtu ka vendosur Kushtetuesja! 

Pra, zonja Brovina do të udhëheq si të dojë shefi i saj Hashim Thaçi dhe partia e saj PDK, kurse Kushtetuesja do ta cilësoj atë si akt "kushtetues", madje edhe atëherë kur e shkel rëndë Rregulloren e punës së Kuvendit të Kosovës, siç ishte rasti i injorimit të skenarit të mbledhjes konstituive të miratuar nga Kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës.

Dua të shpresoj thellë se kësaj radhe  nuk do të ndodhë repriza e akteve ashiqare joligjore dhe jokushtetuese dhe se, për hirë të demokracisë dhe ardhmërisë së këtij vendi të bekuar, do t'i mundësohet edhe shumicës parlamentare prej 83 deputetëve që të propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës dhe t'i hapet rruga krijimit sa më të shpejtë të institucionevevtë tjera dhe Qeverisë së re të Kosovës, sipas rezultateve të dalura nga zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014.

Vetëm Kështu do t'i hapej rruga proceseve demokratike dhe do të mbyllej me sukses kriza aktuale politike, sipas vullnetit politik të shumicës së forcave politike dhe popullit të Republikës së Kosovës, si dhe do mundësihej riparimi sa më i shpejtë i pasojave dhe dëmeve të shkaktuara nga ngërçi i tejzgjatur politik, si dhe shpëtimi i vendit nga zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare, të cilat do ta çonin Kosovën në kaos politik dhe do krijonin shpenzime marramendëse, dëmtimin e panevojshëm të ekonomisë dhe buxhetit të Kosovës.
Në fund fare, shtrohet pyetja, vallë kah jemi drejtuar? 
A thua i harruam vuajtjet tina shekullore për të arritur deri tek kjo liri, për të cilën u sakrifikuan gjenerata të tëra dhe ne tani me sjelljet tona jodinjitoze, tekanjoze e politikaneske  ti shkelim parimet themeoire të demokracisë bashkëkohore dhe ta kompromitojmë dhe dëmtojmë imazhin e shtetndërtimit tonë që është akoma në fillimet e tij dhe demokracisë që, së paju deklarativisht, të gjithë e pretendojmë?

No comments:

Post a Comment