Thursday, September 18, 2014

Çka (nuk) duhet të bëjmë për zgjidhjen e ngërçit politik?



Shkruan: Nehat Hyseni

Sot, më 18 shtator, u mbajtë vazhdimi i shumëpritur i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës të 17 korrikut, për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 
Mirëpo, edhe në këtë mbledhje, të cilën e kryesoi deputetja e e PDK-së, Flora Brovina, vazhdoi agonia e zhagitjes deri në pafundësi i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, si dhe hapja e rrugës për formimin e Qeverisë së re. 
Pra, kjo mbledhje zgjati shumë shkurt, reth 15 minuta, por dëshmoi vendosmërinë për obstruksion e bllokadë totale të Kosovës nga ana e PDK-së dhe Hashim Thaçit, i cili është shkelësi më flagrant i Kushtetutës së Kosovës, meqë mori pjesë si deputet i zgjedhur në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 dhe njëkohësisht është edhe kryeministër aktual në ikje.
 Kjo bllokadë e shtetit dhe formimit të institucioneve për funksionimin e tij vjen pikërisht nga Hashim Thaçi & Company, i cili me kohë është kujdesur që t'i krijoj të gjitha kushtet që ta fusë në grusht të çeliktë shtetin e Republikës së Kosovës, duke siguruar militantë të partisë së vet në institucionet më të rëndësishme shtetërore e publike, si psh. në RTK, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Presidenten, etj., që po e ndihmojnë atë tani që ta shantazhoj dhe bllokoj tërësisht skenën politike të Kosovës, për ta detyruar që t'ia vazhdoj qeverisjen e vendit, edhepse nuk i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për ta arritur këtë. 
Kjo situatë e ngërçit politik që po shndërrohet në krizë serioze politike, fitohet përshtypja se i ka hedhur në sipërfaqe anët më të errëta dhe më komprometuese të popullit tëKosovës, posaçërisht të aftësive të shqiptarve të këtij shteti më të ri në Europë për të mbajtur shtet dhe për të krijuar institucione demokratike. 
Se aftësitë e shqiptarve të Kosovës janë vënë para sfidave të mëdha, që realisht rrezikojnë realizimin e idealeve tona kombëtare shekullore për liri e pavarësi dhe për shtet të avancuar demokratik, kjo u pa me hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila paraqet një ngatërresë amatoreske dhe mishmash juridik, si dhe hedh në sipërfaqe tërë diletantizmin dhe paaftësinë elementare të hartuesve të saj, që tani po vjen në shprehje në situatën aktuale, meqë nuk ka paraparë mundësi që kryetari i Kuvendit të Kosovës të propozohet nga shumica parlamentare, por vetëm nda "partia fituese", që fiton shumicën relative! 
Natyrisht, PDK po e shfrytëzon këtë situatë, duke i bllokuar proceset e konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë së re, konform rezultateve të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Pir, megjithatë, çdo e keqe ka edhe anën e mirë të çështjes. 

Sepse, tani na u kanë hapur sytë dhe jemi duke parë gaptas se sa jemi për shtet të fortë e të zhvilluar të Republikës së Kosovës, e sa për pushtet, zhvatje e korrupsion, meqë është krijuar situata absurde që Lista Srpska, me gjithsej 9 deputetë, është bërë faktor dominant në situatën politike aktuale, meqë ajo e shtyri mbledhjen konstituive për një javë, për t'u konsultuar me Beogradin lidhur me (mos) pjesëmarrjen e saj në Koalicionin LDK-AAK-Nisma-VV, për shkak të kyçjes së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë koalicion. 

Kuptohet se e gjithë kjo është bërë në rethanat aktuale për ineteresa të PDK-së dhe Hashim Thaçit. Kështu, me logjikën "Për inat të resë, më vdektë djali", e kthyem ndikimin direkt të politikës së Serbisë në mbarëvajtjen dhe funksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe shtetit të Republikës së Kosovës?!
Kjo situatë dekadente dhe absurde, doemos na i shtron disa dilema dhe pyetje konkrete. 

Së pari, vallë, a ka mundur të hartohet Kushtetutë më jofunksionale, bllokuese dhe diletanteske se sa kjo e jona edhe po ta kishin hartuar armiqtë më të përvetuar të Kosovës?

Si mundemi t'u krijojmë hapsirë aq të madhe, madje vendimtare të veprimit Listës Srpska, e cila nuk e njeh Pavarësinë dhe Sovranitetin e Republikës së Kosovës? 

Pra, ajo nuk e njeh shtetin tonë, kurse ne atyre u mundësojmë rol dominant në politikbërjen aktuale, meqë ashtu i konvenon një partie politike shqiptare, e cila po pretendon ta vazhdoj qeverisjen e vendit edhepse nuk e  ka shumicën e nevojëshme. 

Pra, deri dje ishte e pabesueshme, por sot është ky një realitet tejet i hidhur që PDK dhe Lista Srpska po e luajnë vallen e përbashkët të krijimit të krizës politike aktuale në Kosovë! 
Pse është duke ndodhur kjo anomali?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: për pushtet. 

Lista Srpska nuk e njeh shtetin në të cilin imponon pushtetin, madje dominant, aktualisht në Kosovë dhe PDK, e cila si duket, shumë vështirë e ka ta duaj shtetin, pa e pasur pushtetin. 
Ndërkaq, për pasojat për shtetin dhe për ekonominë dhe ardhmërinë e popullit të Kosovës, nuk e çanë fare kokën askush nga ata.

Cili do të jetë hapi i duhur tani?

Sigurisht se çdo veprim që siguron zhbllokimin e situatës aktuale konform Kushtetutës, Rregullores së punës të Kuvendit dhe interesave të vendit, do të ishte hapi i duhur.

Cili do të ishte hapi më i keq dhe i papranueshëm për Kosovën?

Obstruksionet e pafund dhe dhënia e hapsirës së veprimit dhe të ndikimit direkt të Beogradit, nëpërmes Lista Srpska-s në punën e Kuvendit të Kosovës  ku mund ta gjej interesin e vet edhe ndonjë parti poltike shqiptare.

Prandaj, duhet ta zhbllokojmë trurin dhe ndërgjegjen tonë kombëtare e shtetformuese dhe interesat e ngushta grupore e partiake e personale t'i sakrifikojmë për Pavarësinë, Sovranitetin, prosperitetin dhe mirëqenien shtetit të Republikës së Kosovës, duke bashkëpunuar ngushtë midis veti partitë politike shqiptare dhe duke ia ngushtuar hapsirën e veprimit armiqëve tanë shekullorë, që na sollën dhunë, të këqia të pafund dhe vuajtje shekuj me radhë.

No comments:

Post a Comment