Thursday, July 10, 2014

Servilizmi i dëmshëm dhe kompromitues i shkencës ndaj politikës ditore

Shkruan: Nehat Hyseni

Meqë dita e mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, pra, 17 korriku po afrohet, edhe propagandat partiake dhe presionet politike janë shtuar. 
Qëllimi i tyre është që të krijojnë opinion sa më të favorshëm për vete.
 Sidomos është shtuar aktiviteti i PDK-së në këtë drejtim, për të plasuar dhe prodhuar "argumente" nga më të ndryshmit për përfshierjen e kësaj partie në qeverisjen e re.
 Ata ishin agresiv në "sqarimin" dhe interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës reth termit "fitues i zgjedhjeve" që lidhet me të drejtën e mandatarit për formimin e qeverisë së re. 

Për këtë arsye, Presidentja Jahjaga u detyrua që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të marrë mendimin e saj dhe për ta sqaruar çështjen se kush duhet emëruar nga Presidentja si mandatar. 
Në këtë fushatë "juridike" janë përfshirë madje edhe emra të njohur të profesorëve universitarë, opinionet e të cilëve, kryesisht varen nga përkatësia e tyre partiake dhe ekspertizën e tyre juridike e akademike e vejnëq në shërbimin partiak.
 Kështu, në vend që të na shërbej shkenca juridike për krijimin e shtetit ligjor, modern dhe të avancuar, të bazuar në shkencën e mirëfilltë juridike, që ka për detyrë të ofroj shembujt dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për ta ndërtuar një shoqëri moderne të mbështetur në ligj e Kushtetutë, mjerisht, tek ne ndodhë e kundërta.
Pra, shkenca dhe profesorët eminent universitarë u vunë në shëbim të politikës dhe partive politike, në mënyrë shumë të përulët, servile dhe komprometuese, jo vetëm për shkencën dhe botën akademike, por edhe për tërë shoqërinë kosovare.
Në këtë drejtim sidomos prinë prof. dr. Arsim Bajrami dhe disa kolegë të tij. Ata madje e keqpërdornin shkencën dhe pozitën e tyre akademike duke u kërcnuar se termi "fitues i zgjedhjeve" i përket vetëm Koalicionit të PDK-së, e kurrësesi Koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe VV, edhepse kanë formuar një grup të përbashkët parlamentar.

Në këtë drejtim, edhe anëtari i Këshillit drejtues të PDK-së, njëherësh zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka bërë me dije se "logjika e shëndoshë dhe numrat në Kuvend tregojnë se në Kosovë nuk mund të ketë një qeveri pro evropiane dhe pro amerikane pa PDK-në"! Sic!!!
Siç po shihet, tani e kanë lënë anash "argumentimin shkencorë", meqë ato u shterrën dhe iu kanë qasur "logjikës" se pa PDK nuk do të kishte qeveri proamerikane dhe proeuropiane, duke harruar deklarimi  decidiv të udhëheqëses kryesore të Unionit Europian, z. Angela Merkel, e cila ishte deklaruar decidivisht dhe publikisht për një qeveri pa PDK-në. 
Vallë, si është e mundur ta ketë kapluar amnezia kaq e rëndë z. Selimi dhe bashkëpartiakët e tij?
Kurse, edhepse të gjithë trumpetonin se SHBA nuk e pranon Lëvizjen VV, megjithatë ambasadorja e SHB-së, z. Jacobson ia uroi e para z. Shpend Ahmetit postin e kryetarit të komunës së Prishtinës.
Pra, janë duke u bërë deklarata bajate, për përfitime partiake. 

Madje, disa shkojnë aq larg me deklaratat e tyre "shkencore" e "kompetente", sa që përpiqen ta bindin opinionin edhe sot e kësaj dite se, poqese PDK nuk përfshihet në qeverisjen e re të Kosovës, kërcënohen se mund të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare! 
Andaj, është koha që ta vejmë gishtin në kolë dhe të mendojmë me kokë të kthjellët se si ta përparojmë Kosovën dhe ta bëjmë vend modern dhe joshës për të jetuar në mirëqenie, begati e demokraci të zhvilluar, duke dhënë secili kontributin e vet të sinqertë në këtë drejtim, pa marrë parasysh përkatësin politike e partiake.



No comments:

Post a Comment