Thursday, June 5, 2014

KUMTESË | ÇËSHTJA E SHQIPTARVE TË LUGINËS DUHET TË MBROHET NË PRISHTINË, ASHTU SIÇ PO MBROHET ÇËSHTJA E SERBËVE TË KOSOVËS NË BEOGRAD!

Edhepse fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 është kah përfundimi, megjithatë, çështja e shqiptarve që pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 ka mbetur nën regjimin antishqiptar të Serbisë, nuk ka qenë temë e veçantë e fushatës.
Madje, për çudinë tonë dhe të mbarë botës demokratike europiane e botërore, çështja e tyre nuk është përmendur fare!
 Ky fakt i pakuptimtë dhe I pabesueshëm, i ka tronditur keq shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët nuk munden ta marrin me mend se si mund të sillen me kaq papërgjegjësi kombëtare partitë politike shqiptare dhe si mund ta fitojnë garën zgjedhore e të pretendojnë ta qeverisin Kosovën, duke e harruar plotësisht dhe duke mos e përmendur fare këtë pjesë të Shqiptarisë?!
Vallë, a thua partitë politike shqiptare të Kosovës, të cilat , me qëllim që t’i fitojnë zgjedhjet dhe të krijojnë rezultat sa më të favorshëm për vete, premtojnë madje edhe gjërat më të pabesueshme, si psh. punësimin e një shifre marramendëse prej 200 mijë vetash, rritjen e buxhetit të Kosovës me progresion gjeometrik, etj. etj. konsiderojnë se do ta bindin votuesin kosovar për t’ua dhënë votën. Kurse, asnjëra parti nuk premton asgjë për Luginën e Preshevës!
Si është e mundur kjo? A thua populli i Kosovës konsideron se çështja e shqiptarve të Luginës nuk i intereson fare, meqë ai i ka me bollëk hallet dhe problemet e veta dhe konsiderojnë se nuk ia vlen që t’ia  shtoj barren vetes  me  ato të Luginës?
Gjithashtu mbetet enigmatike se ku do të shkojnë mbi 30 mijë vota të shqiptarve të Luginës së Preshevës, të cilët nuk janë të organizuar në parti të veçantë politike, ashtu si, bie fjala çamët në Shqipëri.
Një veprim të tillë të shndërrimit të Shoqatës së shqiptarve të Luginës në Gjilan “Vatra”, e bëri duke u shndërruar në subjekt politik në zgjedhjet lokale të 5 nëntorit 2013. Por, për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 nuk paraqiti Listë zgjedhore.
Gjithashtu edhe Shoqata e Qytetarëve të Luginës së Preshevës në Prishtinë nuk ka paraqitur Listë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 qerrshorit 2014, madje as për ato lokale të vitit të kaluar.
Kështu, edhepse shqiptarët e Luginës janë në numër të konsiderueshëm në Kosovë dhe kanë mbi 30.000 (tridhjetë mijë) votues, vota e tyre mbetet e shpërndarë nëpër partitë politike të shqiptarve të Kosovës.
Prandaj, mendojmë se do të ishte me interes që vota e tyre të shkoj vetëm tek ato parti e subjekte poltike të Kosovës të cilat premtojnë dhe garantojnë realizimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, për të cilën u debatua në mbledhjen e 31 majit 2013, kurse u miratua  më 6 qershor 2013. Kjo Rezolutë përcakton obligimet Kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për dhënien e ndihmës vëllazërore të Republikës së Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Mjerisht, kjo Rezolutë pothuajse nuk u përfill fare nga Qeveria e Kosovës deri më tani. Nga dhjetë pikat e saja, pjesërisht u realizua vetëm njëra, pezullimi i taksës kufitare, me të cilën për gadi dy vjet, nga shqiptarët e Luginës u plaçkitën mbi 30 milion euro. Ndërkaq, kjo taksë akoma nuk është hequr, por vetëm është pezulluar përkohësisht.
Kurse, obligimi për hapjen  zyrave për shqiptarët e Luginës në Prishtinë dhe Gjilan, as që janë përfillur fare!
Kjo Rezolutë përcakton obligimin e vendosjes së reciprocitetit midis të drejtave të serbëve të Kosovës me shqiptarët e Luginës. Por, në Dialogun e Brukselit Ekipi negociator Kosovës, i kryesuar nga z. Edita Tahiri dhe Kryeministri Thaçi e nënshkruajtën Marrëveshjen për normalizimin e marëdhënieve me Serbinë, më 19 prill 2014, në Bruksel, pa e përfshirë, madje as pa e përmendur fare çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, që u përjetua si akt i papranueshë dhe skajshmërisht i dëmshëm  ndaj kauzës tone kombëtare dhe ndaj kësaj pjese të Shqiptarisë!
Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të bindur se injorimi i njorimi i çështjes së tyre e dëmton çështjen shqiptare në përgjithësi, si dhe e dobëson pozitën e shtetit të Republikës së Kosovës ndaj serbëve të Kosovës, duke u treguar inferiore ndaj kërkesave maksimaliste të tyre, madje edhe për krijimin e shtetit serb Brenda Kosovës, ngjajshëm me “Republika srpska” në Bosne.
Moskëmbngulja që edhe çështja e shqiptarve të Luginës të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe sipas parimit të reciprocitetit me atë të serbëve, krijoi  bindje të gabueshme në opinionin politikbërës ndërkombëtar dhe humbje balanci dhe krahasimi. Kurse, dëmet janë të pariparueshme për Kosovën dhe Luginën, si  dhe për çështjen kombëtare të shqiptarve në Ballkan, duke krijuar brrezik real për krijimin e “Çamërisë së Dytë”, me shpërnguljen masive nga trojet e tyre stërgjyshore.
Derisa në Serbi fushata e partive politike ka në qendër çështjen e të drejtave të serbëve në Kosovë, ku asnjëra nga ato as që mund të llogarisë në sukses poqese nuk vjen edhe në Kosovë për të fituar mbështetjen e tyre, partite politike të shqiptarve të Kosovës nuk e shfrytëzojnë e as aplikojnë këtë mundësi, së paku duke i përmendur shqiptarët e Luginës.
Sido që të jetë puna, mendojmë se është gabim i madh të mendohet se mund të mbrohet Mitrovica dhe të ruhet tërësia territorial e Kosovës nga rreziku serb për ndarjen e saj, pa mbështetjen e fuqishme të Luginբs së Preshevës dhe pa vënë ekuilibër midis këtyre dy problemeve.
Prandaj, apelojmë që të vetdijësohen të gjitha partitë politike shqiptare të Kosovës se duke mbrojtur shqiptarët e Luginës, ata e mbrojnë Kosovën dhe mbarë Shqiptarinë, duke mos lejuar tkurrjen e mëtejshme të trojeve shqiptare.
Me këtë rast, i ftojmë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës që të dalin në zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Kurse, vota e t’u jepet vetëm atyre partive politike që premtojnë se do t’i riparojnë dëmet e deritanishme të shkaktuara nga Marrëveshja famëkeqe e Brukselit, si dhe atyre që garantojnë realizimin e plotë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqipatrët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Nr. 04-R-011, të 6 qershorit 2013.
Popullit të  Kosovës  i urojmë Zgjedhjet Parlamentare të 8 qershorit 2014!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë!
Në Prishtinë, më 5 qershor 2014

No comments:

Post a Comment