Tuesday, June 3, 2014

Cilat janë pritjet për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Kosovë?

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë pritej të shpallen menjëherë pas miratimit të vendimit (Ligjit) për ndryshimin e emrit të FSK-së në FAK, që ishte kushtëzuar nga sigurimi i vendeve të rezervuara për minoritetet.

Qëndrimet e partive politike lidhur me këtë të fundit, dmth me sigurimin emandateve të garantuara, janë të ndara.

Ky qëndrim më tepër varet nga vlerësimi i partive politike për fitim sa më të madh të poenave politikë dhe nga lufta për votat e qytetarëve, e më pak ka të bëjë me politikën e tyre koherente e parimore.

Por, është e sigurtë se nuk mund të merret bekimi i minoriteteve, e sidomos jo i serbëve, poqese nuk u mundësohen vendet e garantuara edhe për mandatin e ardhshëm katërvjeçarë të deputetëve minoritarë.
Lojrat politike janë intensifikuar kohëve të fundit, kurse fushata parazgjedhore ka marrë hov të madh.

Siqo që të jetë puna e caktimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhëshme parmentare, fushata zyrtare për të cilat do të zgjasë përgjysmë më pak nga zgjedhjet e mëparëshme, dmth zvogëlohet nga një muaj, sa ishte më parë, në vetëm dy javë.
Por, ky shkurtim i kohës së fushatës zyrtare po "kompenzohet" me fushatën jozyrtare, e cila nuk ka kufizime ligjore. Prandaj, edhe kësaj radhe kryeministri i Kosovës po i shfrytëzon asetet qeveritare për fushatë, madje edhe në orarin e punës.

Por, cilat janë pritjet?

PDK e Hashim Thaçit kësaj radhe do të garoj pa Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin. Madje, si ndodhë zakonisht me ndarjet e fraksioneve politike që marrin guximin të formojnë parti të re politike, siç është rasti me fraksionin e PDK-së, Nismën për Kosovën, fushata do të jetë e ashpër në pretendimin e marrjes së "hises" sa më të madhe nga "kulaçi i përbashkët" partiak.
Prandaj edhe priten fërkime dhe tensione midis tyre, sidomos në raundin e parë të zgjedhjeve, ku do të qartësohen sadopak pozicionet e tyre.

Natyrisht se pritet që PDK e Hashim Thaçit do të pësoj ulje dhe zvogëlim të elektoratit, meqë Nisma do të merr një pjesë të konsiderueshme të votuesve të deridjeshëm të PDK-së.

Por, Hashim Thaçi është duke përdorur "municionin" e fundit në këtë betejë për vota, duke e shfrytëzuar armën shtetërore si kryetar qeverie, me qëllim të korruptimit të votës së lirë dhe blerjen e votave me premtimin për rritjen e rrogave të të gjithë punëtorëve të sektorit publik.

Veprimi i këtillë është treguar i sukseshëm gjatë fushatës për zgjedhjet e kaluara, prandaj edhe po përdoret edhe tani.
Se cilët do të jenë efektef reale, kjo mbetet të shihet pas zgjedhjeve.

Ndërkaq, LDK pretendon se pas ndarjes dhe zvogëlimit të PDK-së, që nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, edhepse pësoi humbjen më të madhe dhe grushtin më të rëndë në Prishtinë, se megjithatë ajo tani është partia më e madhe në Kosovë.
Madje dëgjohen zëra aty-këtu, si puna e "duarve në xhepa" në zgjedhjet e fundit lokale, tani përhapen zëra për "fitore të sigurtë" të saj në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare!

Shikuar nga prizmi i qytetarit të rëndomtë, LDK perceptohet si parti mjaftë anemike, me një qasje tejet burokratike daj politikbërjes dhe raportit me publikun.

Në vend që të përpiqen seriozisht dhe me devotshmëri e përkushtim serioz për ta bindur votuesin se pse duhet ta votojnë LDK-në, si opcion më i mirë në tregun politik aktual të Kosovës, ata duken shumë konfuz.
Duke u përpjekur që ta bindin publikun se ata "e meritojnë" të votohen, duke u mbështetur në të kaluarën dhe duke e përmendur vend e pavend figurën emblematike të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Stafi profesional i LDK-së paraqitet skajshmërisht anemik para publikut, shpeshëherë len përshtypjen e të frustruarit, e më pak të ekipit që duhet ta bindë publikun se me ata do të ndodhë kthesa e shumëpritur e skenës politike të Kosovës.
Madje, nga një pjesë e "figurave të mëdha", që e mbajnë veten si më të merituarit, me një fodullëk dhe mendjemadhësi irrituese që e identifikojnë veten si "shtylla kryesore" të kësaj partie politike.

Ata, sa duket, nuk e kanë idenë se janë bërë brengë e madhe për elektoratin "rugovist", sepse perceptohen si personalitete diametralisht të kundërt me figurën e Rugovës dhe me vizionin rugovian që bazohej në modesti, përulësi e qëndresë stoike në rrugëtimin për demokraci të mirëfilltë europiane në këtë truall gjithmonë të sfiduar e të sfilitur nga matrapazët politik dhe nga mendjemadhësia e papërgjegjësia deri në përbuzje të sovranit, dmth të votuesit shqiptar në Kosovë.

Lidershipi i LDK-së aktualisht len përshtypjen se është duke udhëtuar me kokëfortêsi të pashpjegueshme drejt bindjes së popullit se duhen dëgjuar këto "figura të mëdha" pasrugoviane, në vend që të ndodhë e kundërta.
Pra, që ta kuptojnë se pikërisht ata duhen larguar nga skena politike që ia ka zënë frymën votuesit prorugovian.
Paaftêsia trishtuese e lidershipit për t'i identifikuar ato figura varrmihëse të LDK-së, mjerisht, është zhgënjyese.
Prandaj, se a do të realizohet bindja, sipas meje e gabuar e LDK-së nga pritja e "shkatërrimit nga mbrenda" e rivalit të tyre kryesor, PDK-së, paraqet qëndrim tepër riskant dhe i ngjanë më tepër "lotarisë" se sa realitetit politik.

Sa i përket Vetëvendosjes, pritjet janë nga më të ndryshmet.

Të entuziazmuar nga fitorja e lehtë e komunës së Prishtinës, e papritur dhe befasuese edhe për ëndrrimtarët dhe fantazuesit më të mëdhenjë, ka bërë që të paraqiten prognoza e pritje nga më të ndryshmet. Madje nuk mungojnë edhe ato më megalomanet.

AAK e ka të sigurtë se rritje nuk mund të ket.
Ata presin që sa më pak të kenë rënie, duke u përpjekur ra bindin veten dhe elektoratin se "shkurorëzimi" me LDD-në e Nexhat Dacit, si dhe paraqitja e Nismës së Limajt e Krasniqit, nuk do t'i godas tepër.

Ndërkaq, AKR e Behxhet Pacollit dhe Nisma e F. Limajt, sipas të gjitha gjasave do të luftojnë për ta kaluar "pragun" (5%) për të hyrë në Parlament.
Kurse, LDD e N. Dacit dhe partitë e tjera më të vogla i kanë humbur moti kohë shpresat se mund të bëhen pjesë e Parlamentit të Kosovës të vetmuara, pa hyrë në koalicion me ndonjërën nga partitë më të mëdha politike të Kosovës.

Mos të harrojmë se formimi i Gjykatës Speciale do të ket impakt të konsiderueshëm në "dizajnimin" e skenës së ardhëshme politike të Kosovës.
Sepse, Prokurori i saj, ashtu si ishte Mauricio Salustro Prokuror i EULEKS-it, do të jetë Amerikan. Se a do të ket impakt të drejtëpërdrejt në zgjedhje, apo pas tyre, kjo mbetet të shihet
. Por, ajo që dihet me siguri tani, është fakti se Gjykata Speciale do t'i godas kryesisht "krahun e luftës".
Poqese efektet e saj nuk janë planifikuar të ken impakt në këto zgjedhje, atëherë, shumë shpejtë do të kemi zgjedhje të sërishme parlamentare.
Urojmë që zgjedhjet e ardhëshme parlamentare të shënojnë kthesë në cilësinë e pushtetbërjes dhe mirëqeverisjes së Kosovës.

No comments:

Post a Comment