Tuesday, June 3, 2014

A ka rrezik për manipulim të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit 2014?

Meqë koha për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 8 qershor 2014, është e shkurtër dhe hyhet në këtë proces me sistem të pareformuar zgjedhor, ekzistojnë bindje se ato kanë mundësi reale që të manipulohen.

Sepse, mendohet se koha për fushatë, së pari i hendikepon partitë me infrastrukturë partiake të pazhvilluar dhe me shtrirje jogjithëpërfshirëse, qoftë për shkak të kohës së shkurtër që i ka pamundësuar formimin dhe konsolidimin e degëve në tërë territorin e Kosovës, siç është rasti i Nismës për Kosovën, apo për pamundësinë e të bërit fushatë për shkak të buxhetit të dobët financiar, siç është rasti i LDD-së së Akademik Nexhat Dacit, e pjesërisht edhe të AAK-së dhe VV.

Fushata intensive e filluar tre muaj më parë nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me mjete dhe harxhime nga Buxheti i Kosovës, dmth nga taksapaguesit kosovarë, i ka sjellur në pozitë të palakmurshme të gjitha partitë politike.
Duke keqpërdorur Buxhetin e Kosovës edhe për korruptimin e votës së lirë me rritjen e rrogës së mbi 80 mijë punëtorëve që financohen nga ky buxhet, si dhe duke shkuar "derë më derë" për t'i vizituar fermerët dhe bizneset kosovare, madje duke premtuar fondin prej 1,5 miliardë eurosh për kinse rritjen e punësimit, etj.
Pra, këto janë forma shumë të vrazhda të keqpërdorimit të pushtetit për manipulim flagrant dhe për korruptimin e votës së lirë, duke i sjellur partitë tjera në situatë të disfaforëshme.
Kjo është formë drastike e shkeljes së demokracisë dhe ligjeve e Kushtetutës së Kosovës, që po përsëritet nga z. Thaçi, pa u ndëshkuar fare, gjatë të gjitha zgjedhjeve të deritanishme.

Mirëpo, zgjedhjet lokale që u mbajtën vitin e kaluar treguan se ka mundësi të reduktohen maksimalisht vjedhjet dhe keqpërdorimet gjatë votimit dhe vjedhjet tek kutitë e votimit, duke penguar votimin e shumëfishtë të një personi, etj.
Pea, në zgjedhjet lokale 2013 u instaluan shumë mada shtesë të monitorimit dhe mbikëqyrjes së rasteve të vjedhjes dhe devijimit të votës së lirë. Sidomos ishte i rëndësishëm pengimi me efikasitet nga instalimi i mundësisë së lajmërimit falas me sms të rasteve të tilla nga qytetarët, nga vendi i ngjarjes dhe pa u hetuar.
Pastaj edhe me ashpërsimin e denimeve dhe me rritjen e efikasitetit të organeve të ndjekjes dhe drejtësisë, që organizuan një numër të konsiderueshëm prokurorësh dhe gjyqtarësh, të cilët ishin të gatshëm që me kujdestari efikase, aty për aty t'i gjykonin rastet e tilla, duke i denuar sipas ligjit.
Praktikat e tilla efikase duhen aplikuar edhe në këto zgjedhje, në mënyrë që të pamundësohen vjedhjet dhe keqpërdorimet e ndryshme në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014.

No comments:

Post a Comment