Koalicionet e partive politike kosovare për zgjedhjet
parlamentare të 8 qershorit 2014 do të varen në rend të parë nga
perceptimi dhe nga supozimet e shtabeve të tyre zgjedhore, si dhe
analistëve dhe kreut të tyre partiak, se si e parashohin ata pozitën e
tyre dhe epilogun e këtyre zgjedhjeve parlamentare.
Kurse, orientimet programore të partive politike, mendoj se do të kenë rëndësi të dorës së dytë.
Gjithësesi se “bomba” paraelektorale që e goditi skenën politike
kosovare, e veçanërisht atë të LDK-së, ishte deklarimi publik i Fatmir
Sejdiut kundër LDK-së dhe kryetarit Isa Mustafa.
Natyrisht se për njohësit e mirë të rethanave brenda LDK-së, kjo nuk paraqet befasi. Përkundrazi!
Pra, Siç e dijmë të gjithë, Fatmir Sejdiu ishte pasuesi i Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Por, njëkohësisht ai ishte edhe rrënuesi, së bashku me Eqrem
Kryeziun, i LDK-së, duke shkaktuar rrahjen e turpëshme me karriga në
Kuvendin e gjashtë të saj.
Kështu, e hodhën në opozitë LDK-në, madje edhe duke ia rrënuar
dinjitetin dhe autoritetin e madh dhe dashurinë e mbështetjen fanatike
që e kishte kjo parti në popullin e Kosovës dhe mbarë shqiptarinë.
Fatmir Sejdiu dhe Eqrem Kryeziu nuk u ndalën dhe nuk u mjaftuan me
turpërimin dhe shkatërrimin e pjesës së mbetur të LDK-së, por morën edhe
hapat vendimtarë për shkatërrimin e rugovizmit, duke bërë koalicion të
pabarabartë dhe nënshtrues, me PDK-në, si dhe më vonë, duke e shkelur
turpshëm Kushtetutën e Kosovës me mbajtjen jokushtetuese të dy
funksioneve inkompatibile dhe jokushtetuese njëkohësisht: të presidentit
të Kosovës dhe kryetarit të LDK-së!
Edhepse vet është doktor i shkencave juridike dhe ligjërues i së drejtës
dhe paguhet që t’i mësoj dhe edukoj studentët se si duhet respektuar
Kushtetuta dhe Ligji dhe si duhet ndërtuar “shteti i së drejtës”, që
mbështetet në vullnetin e Sovranit (popullit) dhe përfaqësuesve të tyre
në Legjislativin, ose Parlamentin e Kosovës!
Në vend të kësaj, ai i dha përparësi marrëveshjeve politike midis individësh-liderësh politikë!
Por, sa duket, kjo nuk i mjaftoi atij. Tani ka dalur hapur kundër
LDK-së, që mund t’i kushtoj rëndë Kosovës dhe LDK-së, duke ia siguruar
fitoren PDK-së dhe Hashim Thaçit.
Prandaj, ky mund të jetë “koalicioni” më i rrezikshëm, “në heshtje” midis Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit.
Se me çfarë çmimi dhe me çfarë kushtesh mund tē ket ndodhur ky akt makabër, kjo mbetet të shihet.
Por, druaj se ky gjest mund t’i jep “vulën” epilogut të këtyre
zgjedhjeve, duke ia mundësuar PDK-së së Hashim Thaçit dhe minoriteteve
që edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar ta qeverisin Kosovës.
Oh, sa do të dëshironim që e gjithë kjo të mos ndodhë realisht dhe të
mbetet vetëm një supozim dhe perceptim i gabuar i rethanave politike
aktuale, si dhe mosnjohje e realitetit tonë politik dhe të mbetet si një
frikë e panevojëshme dhe e përkohëshme?!
No comments:
Post a Comment