Herë
po herë jo më në fund u votua Tribunali. Të mërkurën deputetët e
Kuvendit të Kosovës me vota 89 pro, 22 kundër dhe 2 abstenime, kanë
votuar për themelimin e Gjykatës Speciale e cila do të hetoj krimet e
pretenduara në Republikën e Kosovës. Formimi i Gjykatës Speciale, ose
siç e quanim më parë Tribunalit për Kosovën, në mbledhjen e Kuvendit të
Kosovës të 23 prillit 2014, mori bekimin e deputetëve.
Kjo
është një marrëveshje ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Bashkimit
Evropian, ku sipas kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit, është bërë me
imponim jo të ndershëm dhe jo të drejtë nga bashkësia ndërkombëtare,
përkatësisht Amerika dhe BE-ja. “Tani institucionet e Kosovës janë të
ballafaquara me një imponim krejtësisht jo të ndershëm dhe jo të drejtë
nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.
Analisti
politik, Nehat Hyseni, për Gazetën “Bota sot”, thotë se këtu bien në sy
një sjellje dualiste e Kryeministrit Thaçi, meqë ai tërë kohën bënte
apel dhe lobonte fuqishëm për miratimin e këtij vendimi të dhimbshëm,
sidomos për bashkëpartiakët e tij, kurse, për befasinë e të gjithëve, ai
këtë filloi ta quaj si "imponim të padrejtë" e "të pandershëm",nga
ndërkombëtarët.
“Kjo sjellje
dyfytyrëshe e z. Thaçi nuk mund të sqarohet ndryshe, pos si nevojë e tij
pragmatike për të qëndruar në dy karrige: në atë të miratimit të
pakusht të çdo propozimi të ndërkombëtarëve, madje edhe ato që i
rrezikojnë me dënime e arrestime bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ai
ndaj ndërkombëtarëve është i pafuqishëm dhe argumentet për t'u imponuar
atyre ndonjë qëndrim të favorshëm për bashkëpartiakët dhe miqtë e tij
më të ngushtë, i janë shterur dhe komprometuar skajshmërisht me
përformancën e korruptuar të tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me dosje të
trashë të keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar, etj”,
thotë Hyseni.
Sipas tij, z. Thaçi i
nevojitet që para opinionit dhe votuesve të Kosovës ta paraqesë veten
dhe bashkëpartiakët e tij si viktima.
“Kjo
i nevojitet për t'i bindur, pra për zgjedhjet e parakohshme
parlamentare, votuesit e Kosovës se ja, ai dhe partia e tij janë "e
keqja më e vogël"! Prandaj, ata "e meritojnë" të votohen dhe çdo votë që
hidhet për partitë dhe opsionet e tjera të skenës politike të
Republikës së Kosovës, do të ishte “e keqe më e madhe”.
Pra,
sipas Hysenit, paraqitja dualiste dhe kundërthënëse e Hashim Thaçit
sipas parimit "mirë me të gjithë", ka për qëllim qëndrimin e mëtejshëm
të tij në “krye të qeverisjes së Kosovës, duke u përpjekur që t'i
minimizoj pasojat dhe ndëshkimet për gjithçka e keqe që i ka ndodhur
Kosovës me "meritat" e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij, si nga
Gjykata Speciale, ashtu edhe nga votuesit e Kosovës në zgjedhjet
parlamentare që do të mbahen së shpejti. “Prandaj, sjellja e tij i
ngjanë politikës "hem-hem", d.m.th. përmbysje e thënies popullore:"As me
shehër, as me Barilevë" në: "Hem me shehër e hem me Barilevë”, thekson
Hyseni./standardi.info
No comments:
Post a Comment