PRESHEVË- Në një letër adresuar krerëve
të institucioneve të Kosovës Atifete Jahjagës dhe Hashim Thaçi dhe Jakup
Krasniqit e nënshkruar nga Mr. Nehat Hyseni, kryetar i Shoqatës së
shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë
citohet se preshevarët duhet të trajtohen njësoj, pasi janë shqiptarë.
Ata
në këtë letër janë shprehur të shqetësuar me faktin se Qeveria e
Kosovës në bisedimet e Brukselit dhe Marrëveshjen e 19 prillit 2013,
çështjen e Luginës nuk e përfshiu fare, thuhet mes tjerash në letrën.
Në
këtë letër po ashtu, preshevarët shqetësohen edhe për obligimin
kushtetues për të cilën thonë se Qeveria nuk e ka kryer, e cili ka të
bëjë me shtimin e kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës
së Preshevës. Ndërkohë, kujdes duhet ti tregohet dhe vendosjes së
reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në Kosovë me shqiptarët
në Luginë, të organizojë shkollim dhe mirëqenie për shqiptarët atje.
“Kujdesi
institucional i Republikës së Kosovës është i domosdoshëm, si për
shqiptarët e shpërngulur të Luginës që jetojnë në Kosovë, prej të cilëve
një pjesë e madhe nuk ka dokumentacion të Kosovës, e as të Serbisë,
ashtu edhe për ndaljen e shpërnguljes së shqiptarëve që jetojnë në
Luginë. Ata zyrtarisht trajtohen si “qytetarë të padukshëm”, pa mundësi
lëvizjeje të lirë, me probleme e kokëçarje të mëdha që u shkaktohen
atyre nga fakti se institucionet e Kosovës i trajtojnë si “jo kosovarë”,
kurse në Serbi keqtrajtohen e diskriminohen si “jo serbë””- thuhet në
letrën e drejtuar institucioneve të Kosovës.
“Regjistrimin dhe
evidencimin zyrtarë të të shpërngulurve nga Lugina, si refugjatë, ashtu
si janë evidencuar nga UNHCR-i mbi 240 mijë serbë të Kosovës, që
zyrtarisht trajtohen si refugjatë në Serbi, kurse asnjë shqiptar nuk
figuron zyrtarisht si i shpërngulur dhe refugjat në Kosovë. Konsiderojmë
se është e domosdoshme edhe hapja e Zyrës së Kosovës në Luginë të
Preshevës, si degë e Zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në
Beograd, për harmonizinin dhe koordinimin e aktiviteteve të Republikës
së Kosovës për ndihmë shtetërore e vëllazërore ndaj shqiptarëve të
Luginës, ashtu si i ndihmon Serbia vëllezërit e vet serbë në Kosovë”-
thuhet në këtë letër.
Shoqata e shqiptarëve të Luginës së
Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë, e konsideron të domosdoshme
dhe urgjente që të zbatohet Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës
dhe të themelohen zyrat në Prishtinë e Gjilan, për t’u marrë
institucionalisht me problemet dhe hallet e qytetarëve të luginës që
jetojnë në Kosovë, që sipas tyre janë të shumta.
Ndërsa në fund
duke pritur angazhimin e qeverisë, ata ndër të tjera edhe falënderohen
për siç thonë ata heqjen e taksës kufitare prej 20 eurosh për makinë, si
dhe për paralajmërimin e heqjes së kuotave famëkeqe për studentët nga
Lugina në universitetet e Kosovës.
No comments:
Post a Comment