Friday, April 25, 2014

A do ta ndryshojë skenën politike të Kosovës formimi i Gjykatës Speciale?

Miratimi i vendimit për formimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës, me votat e “krahut të luftës” (PDK,AAK), të ndihmuar nga LDK dhe të tjerë, nga shumëkush shikohet si “fillim i fundit” të karrierës politike të Hashim Thaçit & Company.
Bindja e këtillë, që ka filluar të qarkulloj gjithandej në opinionin politik në Kosovë, mbështetet në faktin se, sipas bindjes së tillë, Thaçi me angazhimin e tij pë thmeleimin e Gjykatës Speciale për Kosovën e ka “prerë degën” në të cilën qëndron edhe vet.
Sepse, kjo Gjykatë, sipas të gjitha gjasave, do t’i përfshijë bashkëpunëtorët dhe bashkëluftarët më të ngushtë të tij. Pikërisht ashtu si u shprehë miku i madh i shqiptarve dhe Kosovës, James Rubbin, vitin e kaluar në “Sheshin 21”,  me rastin e marrjes së Mirënjohjes për kontributin e dhënë të tij për çlirimin e Kosovës. Ai deklaroi qartë atëherë, se ka ardhur koha që të tërhiqet nga pushteti “krahu i luftës”, siç deklaroi Rubbin: “në kulmin e autoritetit që gëzojnë”. Por, çuditërisht, askush nuk e mori seriozisht këshillën e tij!
Natyrisht se ky zyrtar i lartë Amerikan shprehte qëndrimin zyrtar të SHBA-së, të cilin Rubbin na e përcolli në formë shumë të përshtatshme dhe miqësore. Fitohej përshtypja se pushtetarët tanë e ndienin veten më të mençur dhe më të fuqishëm se Amerika. Prandaj edhe “nuk ia varën” fare!
Askush nuk u thellua ta pyes veten se, vallë,  pse ky mik i madh i yni na këshilloi kështu?
Sigurisht se Administrata Amerikane e përcjellë ecurinë e gjërave dhe performansën e pushtetarëve tanë, madje deri në detajet më të imta. A nuk ishte dëshmi për këtë zbulimi I telefonatave dhe afera “Pronto”, ku iu bë me dije të gjithëve se përgjohen e përcillen deri në detaje, pa asnmjë përjashtim. Prandaj, ata janë të informuar mirë e saktë për gjithçka ka ndodhur në Kosovë dhe reth saj, si  para Luftës, gjatë dhe pas saj.
Se nuk ishte gjithçka në rregull dhe pastër gjatë Luftës dhe pas saj, këtë e dijnë të gjithë, si i thonë fjalës “edhe guri e druni” e dijnë këtë. Kjo madje u pa edhe gjatë votimit të paradokohshëm të ligjit mbi veteranët e luftës, ku deputetët e Kuvendit të Kosovës i ndanë luftëtarët e lirisë sipas interesave partiake, pra bi baza politike. Atë që nuk e bëri as armiku në luftë, e bënë pushtetarët tanë, tani në paq.
Dikush mund të bëjë, me të drejtë vërejtje se, gjithkund në luftë ndodhin vrasje, vuajtje, sakrifica, shkretërim dhe humbje pasurie e jete. Ashtu siç e dijmë se ka përjashtime. Madje paradoksale. Pra, se dikush jo vetëm që nuk varfërohet e masakrohet në Luftë, por del nga ajo i pasur, madje edhe milionerë!
Prandaj, edhe Kosova nuk ishte përjashtim nga ky rregull makabër dhe i pashkruar. Madje, dalin edhe “patriota” edhe milionerë! Sepse, “ujku don mjegull”. Dhe ata që janë “ujq”, dijnë ta shfrytëzojnë këtë formulë magjike: “hem patriotë, e hem milionerë”!
Ashtu ishte në luftën e Kroacisë, pastaj edhe më tepër në luftën në Bosne. Por, ashtu ishte edhe në Serbi gjatë dhe pas luftës së Kosovës, ku u paraqit e ashtuquajtura “Plaçkitje Patriotike”, duke u krijuar milionerë serbë matrapazët e ndryshëm dhe vagabondat e kriminelët ordinerë, si puna e Arkanit, Sheshelit, Veselinoviqit dhe tarafit të tyre.
Ata u pasuruan dhe u bënë milionerë e miliarderë, me “punën patriotike” të tyre për “t’i ndihmuar dhe mbrojtur vëllezërit” e tyre serbë nga “armiqtë shqiptarë”.
 Në emër të këtij “patriotizmi”, këta kriminelë serbë tmerruan bashkëkombasit e tyre në very të Kosovës, duke u shetitur dhe gjuajtur vend e pa vend nga kallashnikovët dhe armatimi tjetër i tyre. Ata krijuan “mbretërinë” e tyre mafioze në atë pjesë të Kosovës, duke vendosur pastaj edhe barrikadat famëkeqe dhe duke i dalur zot jo vetëm tokës, por edhe njerëzve (serbë) atje.
Qeveria e Millosheviqit kishte krijuar banda kriminale paramilitarësh, të cilët i financonte dhe mbështeste për të masakruar popullsinë e pafajëshme dhe të pambrojtur, në Kroaci dhe Bosne, e pastaj edhe në Kosovë.
 Por, u paraqitën edhe banda kriminale nga radhët e kroatëve në Kroaci dhe të boshnjakëve në Bosne, si “mbrojtës” të polullatës së vet, të cilët fillimisht, madje u infiltruan edhe në pushtet.
Mjerisht, edhe Kosova nuk mund të themi se ishte përjashtim nga ky “regull”, kur në “mjegullën” e luftës u paraqitë profiterë e kriminelë të ndryshëm që e shfrytëzuan rastin që në emër të luftës së drejtë për liri, kryen krime makabre dhe e dëmtuan rëndë imazhin e luftës sonë të drejtë dhe të shenjtë për liri e pavarësi.
Nuk munguan as vrasjet misterioze të kundërshtarëve politikë, dhunimet e masakrimet, që e komprometuan rëndë imazhin e UÇK-së në popull, duke humbur besimin tek një pjesë e madhe e tyre.
Formimi i Gjykatës Speciale pikërisht ka për mision pastrimin e imazhit të luftës së shenjtë për liri, nga kriminelët dhe matrapazët e ndryshëm të cilët u infiltruan në pushtet, në emër të “meritave të luftës”.
 Kështu do të ndahet “shapi prej sheqerit”, duke i ngritur edhe më lartë, ashtu si e meritojnë figurat emblematike të luftëtarëve të lirisë, që u flijuan për lirinë tonë, veprimtarëve idealistë që vepruan e kontribuan palodhshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Andaj, Gjykata Speciale  pritet se do ta spastroj skenën tonë politike dhe do t’i  jep fund definitivisht praktikës që kriminelët ta udhëheqin shtetin e Kosovës, duke e ngulfatur me korrupsion marramendës që ia ka zënë frymën zhvillimit normal dhe të gjithanshëm të vlerave të mirëfillta të shoqërisë sonë, lirisë dhe demokracisë.

No comments:

Post a Comment