Poqese bëjmë rekapitulimin në këtë fundvit për sukseset, gabimet dhe
dështimet politike të Luginës së Preshevës, atëherë “bilanci politik”
sigurisht se do të na del një rezultat katastrofal, i shkaktuar nga
dështime, teke, huqe e skandale të shumta.
Sa duket, viti ’13, që u
cilësua si vit “ters”, për shkak të numrit 13 si “baksëz”, në Luginë
qysh në ditët e para të fillimvitit, filloi me situatë të tensionuar
politike rreth Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, që ishte vendosur
para ndërtesës së Kuvendit të Komunës në Preshevë, të cilin xhandarmeria
serbe e hoqi në mënyrë spektakulare, në orët e hershme të mëngjesit të
së dieles së 20 janarit. Ky Lapidar ishte vendosur pa siguruar lejen
adekuate dhe, mjerisht, dyshojmë se ishte pjesë e lojës së pasinqertë
politike të kryetarit të komunës së Preshevës, z.Ragmi Mustafa, i cili
kërcnohej se poqese hiqet nga Qeveria e Serbisë, ai “do të jipte
dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet” dhe se pozita
qverisëse e klomunës “do t’i ndërpriste e të gjitha raportet me
Serbinë”! Kurse, “komandantët” e UÇPMB-së premtonin “mbrojtje me luftë”.
Por, na doli se të gjitha këto kishin qenë premtime të pasinqerta dhe
joserioze, ose siç thotë populli donin ta “trembnin harushën me shoshë”.
Ndodhi ajo që askush nuk mund ta besonte: premtimet boshe të kryetarit
të komunës dhe partisë së tij, duke mos dhënë fare dorëheqjet e
premtuara publikisht në RTV “Koha” të Kosovës, si dhe “komandantët” i
kishte zënë gjumi dhe askush nga ata as “lavrën e minit” nuk e bëri për
mbrojtjen apo vendosjen e kujdestarisë pranë Lapidarit. Shikuar nga
ngjarjet e mëpastajme, Lapidari na del si punë shumë e dyshimtë, me
qëllim të shmangies së vëmendjes së opinionit shqiptar nga bisedimet
Kosovë-Serbi në Bruksel, midis kryeministrit Thaçi dhe Daçiqit, me
ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të Këshillit të BE-së, Baroneshës
Catherine Ashton, që ishin para finalizimit. Ky qëllim u arrit
plotësisht. Pra, Lugina e Preshevës nuk u përmend fare në tavolinën e
bisedimeve, në asnjë takim, apo raund bisedimesh në Bruksel dhe nuk u
përfshi në Marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 nga Kryeministrat
Thaçi e Daçiq dhe nga Baronesha Catherine Ashton. Se kjo gjë nuk ishte e
rastit dhe e paplanifikuar mirë e mirë edhe nga disa politikanë
shqiptarë të Luginës, në koordinim implicit me Qeverinë e Serbisë dhe me
kryeministrin Daçiq, na dëshmoi reagimi i ashpër i Ragmi Mustafës
kundër propozimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, z. Hajredin Kuçi
për formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, si pandan
dhe kundërpërgjigje e shqiptarve të Luginës ndaj propozimit të Serbisë
për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Anti-institucionalizmi
si sfidë/Natyrisht se këto veprime politike kishin histori më të gjatë,
meqë vepronin me vendosmëri dhe vullnet të paparë kundër çdo forme të
institucionalizimit të faktorit shqiptar në Serbi si faktor unik. Kështu
ata vepruan kundër formimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në
vitin 2010, duke bërë luftë të egër dhe të pa kompromis, e herë-herë
edhe të tmerrshme. Fatmirësisht, ata u mundën nga vota shumicë e
popullit në zgjedhjet e 6 majit 2010. Por, ata nuk pushuan kurrë në
veprimet e tyre diverzive kundër këtij institucioni të vetëm të
shqiptarëve në Serbi., duke u ndihmuar edhe nga shumë politikanë
destruktivë dhe antishqiptarë të Serbisë. Të dërrmuar nga stërkamshat
dhe konfliktet midis vetit, lider(ucat) politikë të Luginës, të
mbështetur për muri nga veprimet e xhandarmerisë serbe me rastin e
heqjes së Lapidarit, mbajtën mbledhjen e Këshilltarëve shqiptarë të
kuvendit komunal të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si institucion
joformal, duke anashkaluar tërësisht Këshillin Nacional si institucion i
njohur nga ndërkombëtarët dhe nga Qeveria e Serbisë. Duhet theksuar se
në atë mbledhje nuk u miratua Platforma e përbashkët e veprimit të
shqiptarëve të Luginës, por u miratua një material i pasistemuar
profesionalisht, që ishte konfuz dhe nuk jepte një pasqyrë të thuktë të
gjendjes dhe masave e aktiviteteve që do të propozoheshin për tejkalimin
e saj. Ishte një përshkrim i gjerë dhe i pa fokusuar, si dhe
metodologjikisht i papranueshëm. Pra, u hartua sa për “sy e faqe”, pa i
adresuar problemet, dukuritë dhe bartësit e aktiviteteve, si dhe
institucionet që duhej njoftuar.
Është e pafalshme sjellja
mospërfillëse edhe e partive politike, që nuk këmbëngulën
domosdoshmërisht k që ky institucion të jet bartës i aktiviteteve
kombëtare për shqiptarët e Luginës. Ata e arsyetuan këtë si “lëshim pe”
dhe si kompromis, me qëllim të krijimit të unitetit veprues të faktorit
politik shqiptarë në Luginë, duke hequr kështu dorë nga përfshirja e
KNSH në këtë proces. Ky është gabim i pafalshëm, meqë i kontribuoi
defaktorizimit të shqiptarëve në Serbi, si dhe mospërfshierjes së tyre
në Dialogun e Brukselit, meqë KNSH paraqet të vetmin institucion unik të
shqiptarve të Luginës të pranuar nga institucionet ndërkombëtare dhe
nga Qeveria e Serbisë, si dhe nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Por,
mjerisht, ky institucion kombëtar nuk pranohet nga partite politike
shqiptare që udhëheqin aktualisht komunën e Preshevës, si dhe nga ata të
komunë komunës së Bujanocit!
Humbja e kredibilitetit politik/Nuk
duhet të harrojmë faktin se Kryeministri i Kosovës shfryu mllef të
paparë kundër disa liderëve politik të Luginës, të cilët ishin të
pasinqertë dhe jepnin deklarata e premtime të mëdha për dorëheqje nga të
gjitha postet politike poqese hiqet Lapidari, kurse nuk mbajtën
premtimet. Edhe shqiptarët e Luginës ishin të zhgënjyer me këta liderë
të pamoralshëm, që gënjyen opinionin pa fije turpi e morali njerëzorë e
kombëtar. Autoriteti i liderëve shqiptarë të Luginës, e sidomos e atyre
që jepnin premtime megalomane i shtoi në mënyrë drastike kolonat e
shpërnguljes së shqiptarëve të kësaj ane, duke i lënë bosh trojet dhe
pasuritë e tyre stërgjyshore.
Lugina e Preshevës në vitin 2013 e
humbi në mënyrë të kobshme dhe të pakthyeshme shansin historik për t’u
përfshirë në Dialogun e Brukselit, ku do të trajtohej sipas parimit të
reciprocitetit me serbët e Kosovës, edhe pse të gjitha partite politike
shqiptare ishin deklaruar për këtë parim.
Madje, të gjithë e
potenconin këtë në çdo publik dhe në çdo deklaratë politike lidhur me
statusin e Luginës dhe atë të serbëve të Kosovës. Akoma ka mbetur si
enigma e pashpjegueshme dhe e paqartë fakti se si veprohej në “dy
binarë” nga disa parti politike shqiptare të Luginës, të cilat ishin në
koordinim të përkryer, madje edhe të sinkronizuar me Daçiqin lidhur me
ndarjen e Kosovës, duke vepruar kështu kundër Tiranës dhe Prishtinës
zyrtare, si dhe kundër BE-së dhe miqve tanë ndërkombëtarë., duke u bërë
kështu më “katolikë se Papa” me “radikalizmin” e dyshimtë të tyre.
Ndërprerja
e dialogut të (pa)filluar/Moskoordinimi i faktrorit politik të Luginës
kishte krijuar situatë tragjikomike, duke u renditur si një ekip
futbolli të gjithë lider(ucat), që i ngjanin një orkestri të çakorduar,
që prodhonte një kakofoni politike skajshmërisht të dezorientuar në
hapësirë dhe kohë. Natyrisht, s’kishte si të jet ndryshe edhe rezultati.
Gjendja e shqiptarve të Luginës është më e keqe se kurrë më parë.
Komuna e Preshevës kthehet në situatën e vitit 1947. Pa gjykata dhe pa
“nam e nishan” të kompetencave që i kishte dikur pushteti lokal në
Preshevë dhe Bujanoc. Kurse garniturat udhëheqëse e pushtetit lokal as
që e prishin tymin. Ata janë pasuruar nga politika dhe tenderomania e
zhvatja e papërgjegjëshme e parasë publike, ku Serbia nuk u përzihet
fare. Përkundrazi, ua ka lënë në duar “sovranitetin” e plotë në këtë
drejtim. Tani krijohet përshtypja se kemi një fije dinjiteti e morali
politik, meqë, më në fund u vendos që t’i thuhet Stop! Dialogut, të
cilin, sinqerisht, unë nuk e kam vërejtur se ka filluar fare! Përveç
disa takimeve dhe fotografimeve me Daçiqin dhe Vuçiqin, nga të cilët nuk
u mor vesh kurrë se çka është konkluduar, përpos “cakarritjeve” dhe
“heroizmave” të ndonjerit prej tyre për “çështje morali” të ministres
Çitaku.
Pra, shqiptarët e Luginës as që janë të përgatitur seriozisht
për Dialog të mirëfilltë me Serbinë, meqë u mungon koordinimi dhe
bashkëpunimi i mirëfilltë dhe i sinqertë me Tiranën dhe Prishtinën
zyrtare, si dhe me faktorin ndërkombëtarë. Disa prej tyre komunën e
shikojnë si mjet zhvatjeje, kurse veprimin politik si mënyrë pasurimi
dhe mbrojtjeje të interesave të firmave që janë sponsorizuese të tyre.
Analiza e sukseseve dhe dështimeve politike të Luginës nuk do të ishte e
plotë poqese nuk do t’i përfshinim veprimet e pasinqerta dhe
manipulative të Qeverisë së Kosovës dhe Kryeministrit Hashim Thaçi që
tradhëtinë e tij ndaj Luginës për mospërfshierjen, bile edhe
mospërmendjen fare të Luginës në Dialogun e Brukselit, që nuk do t’ia
falë historia, u mundua ta “mbulojë” me vizitën e ministrit të arsimit,
të mbetur në tentativë, si dhe me vizitën e realizuar të ministres
Çitaku dhe teksteve shkollore që ajo i dhuroi, pa siguruar kurrëfarë
leje paraprake. Prandaj edhe fundi ishte i pritur. Shija e hidhur e
këtij veprimi të Qeverisë së Kosovës krijohej edhe nga fakti se ky
veprim u bë gjatë fushatës zgjedhore, duke llogaritur në votën e
shqiptarëve të Luginës sidomos në Gjilan dhe Prishtinë.
Urojmë që në vitin 2014 të mos na përsëriten gabimet e vitit 2013. Sepse, nuk do të na falë historia!
No comments:
Post a Comment