Udhëheqësia aktuale e Republikës së Kosovës, inferioritetin e
saj me Qeverinë e Serbisë, si dhe midis serbëve të Kosovës dhe
shqiptarve të Luginës, mundohet ta plasojë në opinion si
“europianizëm”, sjellje “demokratike” etj., duke u munduar që ta bindë
opinioni, se kjo është rruga e duhur dhe e pa alternativë. Duhet ta
ngrisim lartë zërin për vëllezërit tanë shqiptarë, kudo që janë, me
krenari dhe pa u ndrojtur, ashtu si veprojnë edhe kombet e përparuara
dhe demokratike europiane, gjermanët, francezët, italianët, pse jo edhe
serbët, etj. me bashkëkombësit e tyre kudo që janë, duke e konsideruar
këtë si obligim shtetërorë, moral e civilizues.
Takimi i liderëve politikë të shqiptarve të Luginës së Preshevës më 10
tetor 2013 në Beograd me Kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq, nuk dha
përgjigje lidhur me çështjet kyçe që e ngarkojnë situatën politike dhe
gjendjen e rëndë ne arsimin shqip, gjendjen katastrofale ekonomike, për
Lapidarin e UÇPMB-së etj.
Fitohet përshtypja se gjërat u kapën “nga bishti”, duke përcaktuar
takimin e parë të ardhshëm me ministren e shëndetësisë, e cila, edhepse
është e rëndë dhe me probleme, ajo nuk figuronte në agjendën e
prioriteteve të partive politike shqiptare të Luginës.
Ndërkaq, Daçiqi në mënyrë ultimative, në stlin “merre ose leje”! (uzmi
ili ostavi!), u tha atyre troç, pa i “lëvizur qerpiku” se cilat të
drejta është e gatëshme Serbia t’ua lejoj shqiptarve të Luginës, si dhe
cilat do t’i shtypë me anë të makinerisë represive të shtetit serb.
Pikërisht ashtu veproi Daçiqi edhe me Hashim Thaçin në takimin e 7
tetorit 2013 në Bruksel, ku e vuri para aktit të kryer Thaçin: “ose do
të hyjë e dal në Kosovë sa herë të dëshiroj, ose do t’i ndërprej
bisedimet në Bruksel”!
Epilogu dihet. Si gjithmonë, Hashim Thaçi është ai që lëshon pe, si edhe
shumë e shumë herë më parë, duke e “lëpirë” atë që pak ditë më parë e
kishte “pështyrë”.
Pra, edhepse z.Thaçi kishte deklaruar se liderët e Serbisë nuk mund
të hyjnë në shtetin e Republikës së Kosovës për të bërë fushatë politike
për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ashtu si Kosova nuk bënë fushatë në
zgjedhjet e Serbisë. Madje, Hashim Thaçi as që guxon, apo ndoshta nuk
don(?), që t”i vizitoj vëllezërit e tij shqiptarë në Luginë të
Preshevës, ashtu si vepron Daçiqi dhe liderët serbë në Kosovë, duke i
vizituar vëllezërit e vet serbë në çdo skutë të Kosovës.
Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj nuk janë të aftë, apo nuk kanë
vullnet të mjaftueshëm politik(?) që ta realizojnë parimin e
reciprocitetit midis qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë, si dhe të
kryeministrave të tyre, duke pranuar rolin e inferioritetit dhe
nënshtrimit. Andaj edhe ka pamundësuar realizimin e deklaruar dhe të
proklamuar si pretendim nga të gjitha partitë politike të shqiptarve të
Luginës së Preshevës për vendosjen e reciprocitetit të plotë midis tyre
dhe serbëve të Kosovës, sipas parimit” “as më pak, e as më shumë se
ata”.
Këtë inferioritet, udhëheqësia aktuale e Republikës së Kosovës mundohet
ta plasojë në opinion si “europianizëm”, sjellje ” demokratike” etj.,
duke u munduar që ta bindë opinionin e gjërë, e në rend të parë atë
kosovarë dhe mbarëshqiptarë, se kjo është rruga e duhur dhe e pa
alternativë.
Sa duket, i vetmi “europianizëm” qeveritarve kosovarë është
inferioriteti ndaj Serbisë dhe serbëve të Kosovës, si dhe mosinteresimi
ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë në Luginë. Kurse, shkeljet e Ligjit,
korrupsionin, krimin e organizuar, trafikimet me njerëz dhe substanca
narkotike dhe dukuritë e tjera negative që shënojnë rritje të
vazhdueshme, nuk i përmendin fare.
Pra, ne do të jemi më pranë Europës jo duke ia kthyer bërrylin
vëllezërve tanë dhe në anën tjetër duke mos e luftuar krimin.
Përkundrazi, përkujdesja ndaj vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe e
një flamuri është obligim dhe virtyt që çmohet në të gjitha nivelet e
opinionit demokratik në Europë dhe në botë, ashtu si dënohet në të
gjitha vendet me demokraci të zhvilluar krimi dhe mospërfillja e rendit
dhe Ligjit.
Pra, poqese vërtetë e dëshirojmë dhe synojmë sinqerisht Unionin
Europian, që edhe Kosova të bëhet anëtare s familjes së madhe të
demokracisë europiane e botërore, nuk duhet të turpërohemi që jemi
shqiptarë, me përkatësi fetare e civilizuese që realisht kemi, duke u
krenuar me vlerat tona kombëtare, si kontribut vlerave dhe civilizimit
europian e botërorë, si dhe duke u kujdesur me përkushtim dhe mburrje që
t’i avancojmë ato, si dhe duke i luftuar dukuritë negative në mjedisin
tonë.
Por, mbi të gjitha, duhet ta ngrisim zërin lartë për vëllezërit tanë
shqiptarë, kudo që janë, me krenari dhe pa u ndrojtur, ashtu si veprojnë
edhe kombet e përparuara dhe demokratike europiane e botërore,
gjermanët, francezët, italianët, pse jo edhe serbët, etj. me
bashkëkombësit e tyre kudo që janë, duke e konsideruar këtë si obligim
shtetërorë, moral e civilizues.
No comments:
Post a Comment