Tuesday, March 31, 2020

Zhgënjimet tona dhe frika nga diktatura neokomuniste dhe vetizolimi Shkruan: Nehat Hyseni Albin Kurti si kryeministër u tregua figura më e brishtë dhe hallka më e dobët e politikbërjes në Republikën e Kosovës: tekanjoz e inatçor, frikacak e paranojak, kokëfortë, jotolerant e arrogant, autokrat e diktator. Ai u tregua që është arrogant edhe ndaj miqëve të Republikës së Kosovës dhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, e sidomos ndaj partnerit të koalicionit qeverisës, LDK-së, duke u sjellur si mbret apo faraon, e jo si kryeministër e lider demokrat e liberal. Shkurt e shqip: Albin Kurti nuk është personi apo lideri që mund t’i përgjigjet nevojave imediate të Republikës së Kosovës për një lidership të aftë dhe menaxhues të mirë, për shkak të karakterit të tij despotik dhe prirjeve autoritare, si dhe kapaciteteve dhe aftësive të munguara në mënyrë ekstreme për bashkëpunim të mirëfilltë dhe për bashkëqeverisje normale. Gjatë këtyre 50 ditëve para rrëzimit të Qeverisë së tij, ai tregoi paaftësi ektreme për ta dalluar partinë nga shteti, partnerin qeverisës, LDK-në nga adhuruesit dhhe militantët fanatik të Vetëvendosjes. Si kryeministër i vendit, Albin Kurti bëri gafe politike dhe gabime menaxhuese, sa pesë vite që ka bërë Qeveria Mustafa. Por, ajo që nuk mund t’i falet kurrësesi Albin Kurtit nga populli i Kosovës dhe miqtë e parterët tanë strategjik, është kokëfortësia diletanteske reth heqjes së taksës, që e kërkonin me këmbëngulje BE dhe SHBA, për vazhdimin e bisedimeve reth arritjes së Marrëveshjes me Serbinë. Pra, Albin Kurti ishte i keq dhe i papranueshëm për të gjithë partnerët, ndërkombëtarë e vendorë. Prandaj, nuk kishte se si të përfundoj ndryshe, përveçse me shkarkim të Qeverisë së tij, më 25 mars 2020, që ndodhi me mbështetjen e mocionit të partnerit të koalicionit qeverisës, LDK-së, me mbi 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dmth me shumicë të kualifikuar, qydo të mjaftonte madje edhe për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Sjelljet e Albin Kurtit në politikbërjen aktuale, më tepër paralajmërojnë për një ogur të zi, të një diktature ultramajtiste e neokomuniste në ardhje, kryesisht për shkak të zhgënjimit të madh të popullit dhe votuesve të zhgënjyer e të mllefosur nga keqqeverisja e klasës politike të Kosovës në këto njëzet vitet e pasluftës. Pikërisht, zhgënjimi i popujve gjatë historisë, solli në pushtet diktatorë paranojak e kontraverz, që i sollën shumë të këqia,rrënime, shkatërrime e vuajtje, jo vetëm popujve të tyre, por edhe tërë njerëzimit. Kështu për shembull, Gjermania doli nga Lufta e Parë Botërore si palë e humbur, meqë Perandoria e Austrohungarisë u shpërbë dhe e pësuan keq gjermanët. Prandaj, doli në skenë partia që hidhte helëm e vrerë mbi klasën politike gjermane të kohës, duke i quajtur tradëtarë, të korruptuar e hajna dhe duke premtuar kthimin e tokave dhe territoreve të humbura, si dhe në planin kombëtar premtoi “barazi sociale” dhe “drejtësi”, një sistem politik me ideologji të majtë, pra “socializëm”, që do ishte vetëm për gjermanët, pra “nacional”. Pak a shumë, kështu lindi “Përbindëshi politik i shekullit XX”, nacionalsocializmi në krye me Adolf Hitlerin, të cilit i “buzëqeshi” fati historik i krizës Botërore ekonomiko-financiare 1929-1933, dhe ai i mori frenat e pushtetit në duar të veta, vendosi pushtetin absolut të pakundërshtueshëm dhe filloi përgatitjet intensive për Luftën e Dytë Botërore, që filloi me sulmin e Gjermanisë ndaj Polonisë, më një shtator 1939. Pasojat katastrofale për gjermanët dhe për njerëzimin na janë të njohura. Ngjajshëm u ngritën në pushtet edhe shumë diktatorë e psikopatë, dhe pas LDB-së lindi dhe u rrënjosë në shumë vende edhe te ne, sistemi totalitar socialist, i bazuar në ideologjinë komuniste, që ishte joshës për masat e gjëra popullore, meqë premtonte barazi dhe drejtësi sociale për të gjithë. Por, realisht ndodhi e kundërta e asaj që premtoi regjimi komunist, i cili thirrej në pushtetin popullor dhe në demokraci të masave të gjëra popullore, dhe lindi një sistem totalitar, që i suprimoi liritë elementare dhe të drejtat njerëzore, duke e ndaluar e kufizuar deri në absurd lirin e shprehjes, grupimit politik, lirinë e lëvizjes, etj., dhe u shndërrua në “burg për popullin”. Natyrisht, lindën diktatorë e autokratë: Stalini (gjatë LPB), pastaj Enver Hoxha, Tito, etj. Kurse sot kemi Kim Yong Un në Korenë e Veriut, Kastron në Kubë, etj. Mund të na duken, mbase pak të ekzagjëruara dhe frikë joreale që historia e tillë të na ripërsëritet tani, në shekullin XXI. Por, megjithatë, unë mendoj se ky rrezik është real, sidomos për shkak të zhgënjimit të madh që ekziston në popull me keqqeverisjen dhe hajninë dhe zhvatjen e pafund të shtetit e të pasurisë e parasë publike nga PAN-i, mëkate këto që nuk e lënë anash pa e përfshirë sadopak edhe LDK -në. Kurse, VV-së dhe liderit të saj Albin Kurtit, realisht i ka buzëqeshur fati historik dhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit 2019, doli e para, ndonëse me diferencë minimale nga LDK, me dallim prej vetëm një deputeti. Kuptohet se historia nuk mund të përsëritet plotësisht, ashtu sikur nuk mund të kthehet dy herë i njejti ujë që kalon nën urë. Por, druaj se në të ardhmen do të ballafaqohemi edhe më fuqishëm dhe do të thoja edhe më frikshëm se tani, me izolim dhe armiqësim me miqtë dhe partnerët tanë strategjikë mdërkombëtarë, në rend të parë me SHBA-në, BE-në, etj., në emër të “dinjitetit nacional” e patriotizmit populist, siç është duke ndodhur aktualisht me taksën-tarifën dhe lojrat me vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë. Druaj se këtë do e paguajmë shtrenjtë, madje tepër shtrenjtë në të ardhmen e afërt, e sidomos në një periudhë afatgjatë. Kurse, në politikbërjen e brendëshme na kanoset rreziku real i instalimit të një sistemi autokratik të diktaturës neokomuniste, si “shpëtim” nga keqqeverisja, hajnia, zhvatja enorme e shtetit dhe abuzimi me paranë publike dhe nga korrupsioni “industrial” në të gjitha nivelet e pushtetit dhe në të gjitha “poret” e shoqërisë kosovare, duke ia zënë frymën prosperitetit dhe zhvillimit të demokracisë së mirëfilltë dhe shoqërisë me mundësi të barabarta të çdo individi, të të rinjëve e të rejave të këtij vendi të bekuar. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe tygjithë Shqiptarët, kudo që ndodhen në këto momente të vështira pandemie dhe të Luftës Botërore kundër coronavirusit!

Monday, July 22, 2019

Zhvillime dramatike në skenën e politikbërjes kosovare 


IMG_2098.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Zhvillimet dramatike gjatë fundjavës së kaluar që i shkaktoi dorëheqja e befasishme, pa kurrëfarë paralajmërimi dhe e  parevokueshme e kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak se kishte marrë ftesën nga Gjykata Speciale, që në cilësinë e të akuzuarit, të intervistohet gjatë kësaj jave në Hagë. 

Ftesë për t’u investuar nga kjo Gjykatë kanë marrë edhe shumë të akuzuar e dëshmitarë të tjerë, madje thuhet se të tillë do të jenë reth 700 (shtatë qind) dhe kësaj radhe kanë përfshirë edhe “peshqit e mëdhenjë”, dmth ish komandantët e UÇK-së që janë duke e qeverisur Republikën e Kosovës pothuajse në tërë periudhën e pasluftës.

Se cilat efekte dhe çfarë impakti real do të ketë ky proces në skenën e politikbërjes kosovare, mbetet të shihet.

Por, impakti i parë pritet se 

 do të jetë rënia e Qeverisë Haradinaj, që e përbënë minoranca shqiptare e koalicionit PANA, dmth e PDK-së, AAK-së, Nismës dhe AKR-së dhe besojmë se do të pasoj edhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme, nga Presidenti, që pritet që të ndodhin në vjeshtë të këtij viti kalendarik.

Meqë të gjitha partitë politike janë deklaruar për zgjedhje të jashtëzakonëshme, përveç PDK-së, dmth partisë së Presidentit Hashim Thaçi, megjithatë mbetet enigmatike se si do të reagoj ai në këtë rast. 

Pra, a do ta vazhdoj me këtë Qeveri, duke caktuar nga “zarfi” kryeministrin e ri, ashtu si ndodhi kohë më parë me Presidenten Atifete Jahjaga, apo do të shkohet në zgjedhje.

 Kjo dilemë shpresojmë se do të zgjidhet gjatë kësaj jave.

Gjithësesi, impakti i ndërkombëtarëve pritet se do të jetë vendimtar, meqë atyre po u ngutet që të hiqet taksa 100% në mallrat serbe dhe të zhbllokohet procesi i Dialogut Kosovë-Serbi dhe gjatë gushtit ose në fillim të shtatorit pritet që të mbahet samiti për këtë temë në Paris, pas të cilit është paralajmëruar se do të mbahet edhe takimi në Njujork, nën patronatin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.


Wednesday, July 17, 2019

E tha kryetari se buxheti i komunës së Preshevës për vitin 2018 edhe përkundrejt dështimeve, meqë u realizua vetëm 57%, që është realisht huqja më e madhe në historinë 74 vjeçare të ekzistimit të kësaj komune, megjithatë, sipas tij, na qenka më i madhi (në dinarë)! 

I mjeri kryetar që nuk arriti ta kryej së paku shkollën e mesme që të mund ta kuptoj se gjithëmonë buxheti është rritur në dinarë gjatë këtyre 74 viteve. Por, dinari gjithmonë ka devalvuar. Prandaj, katastrofën buxhetore i shkreti kryetar analfabet do e kuptoj në euro.

 Kurse, në euro do t’i dalin hesapet ndryshe, se investimet kapitale tani janë 10-12 herë, dmth 1000-1200% më të vogla në krahasim me qeverisjen e “partive të vjetra”, PVD-së me Riza Halimin dhe të PDSH-së me Ragmi Mustafën, si kryetarë komune.

Eh! Kjo matematika e shkretë!!!


PS: Nuk i ka fajet Shqiprimi që nuk po din me llogarit, por fajet i ka shkolla!!!

Eh! Kjo virone shkollë!

Friday, October 26, 2018

“Dy budallë vlejnë më shumë se një i mençur”!

IMG_2068.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Po e filloj këtë artikull me proverbin e njohur popullor:

 “Kur udhëheq i keqi, 

popullin e merr dreqi”!

Thuase ky proverb është sajuar enkas për ta përshkruar gjendjen e krijuar në pushtetin lokal, që u instalua nga zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit 2017 në Komunën e Preshevës, që u mbajtën pas vendosjes së të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm”, dmth Masave të dhunëshme nga Qeveria e Serbisë, më 15 shtator 2017 dhe me dekret qeveritar u shkarkua Kryetarja e Komunës, zonja Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik dhe u instalua Shqiprim Arifi me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit në krye të kësaj komune me shumicë shqiptare (mbi 90%) në Serbi.

Serbia postmillosheviqiane e Aleksandar Vuçiqit nuk ishte aspak e kënaqur me partitë e vjetra politike të shqiptarve: PVD-në dhe PDSH-në, të cilat e organizuan dhe udhëhoqën me sukses Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 në Luginë të Preshevës, “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Realisht, ai e kishte halë në sy Riza Halimin, i cili i priu organizimit të politikbërjes së pavarur të shqiptarve nga Beogradi dhe Leskovci, si dhe kryetarin e PDSH-së, Ragmi Mustafën.

Prandaj, në kuzhinat xhihadiste të shqiptarve në Gjermani, SNS-i  i Aleksandar Vuçiqit, investoi shuma marramendëse financiare dhe logjistikën shtetërore serbe për rrëzimin e “politikbërjes së vjetër” të shqiptarve të Luginës dhe për “dërgimin e tyre në pension”.

Prandaj, Serbia nuk kurseu para në zgjedhjet e 24 dhjetorit 2017, duke “investuar” mbi 250 mijë euro për një këshilltar të APN-së Shqiprim Arifit, të cilin do ta instaloj si vasal apo argat besnik të vetin në Komunën e Preshevës.

Gjatë dhjetë muajve të bashkëqeverisjes së tyre më SNS-in e Serbisë, komuna e Preshevës është sjellur buzë greminës, me kuadrot analfabetë, joprofesionalë e muxhahedinë, të cilët në mënyrë të verbër dhe të paskrupulltë janë vënë në shërbim të politikbërjes antishqiptare e anticivilizuese të Serbisë dhe kanë stërmbushur Administratën komunale me militantë islamikë, që sa duket janë në shërbim të misionit serbo-rus, deri në shpërnguljen e shqiptarve të fundit nga pjesë e gjeografisë shqiptare.

Seanca e VIII-të e Kuvendit Komunal e 26 tetorit 2018 dëshmoi se në mënyrë banditeske dhe paushalle ata kanë eliminuar plotësisht ekspertët dhe profesionistët më të aftë dhe më me përvojë dhe i kanë vendosur bashibozukët, analfabetët dhe kuadrot militantiste, kryesisht ekstremistë islamik dhe me mision antishqiptar.

Kështu, ata vendosën që të mos e mbështesin Shtëpinë Informative- RTV Preshevën dhe 26 gazetarë dhe punëtorë të tjerë i kanë lënë pa rroga një vit të tërë, meqë pretendojnë se ata e mbështesin “politikbërjen e vjetër”. 

Ky degradim kriminal i këtyre shqipfolësve me mision të verbër antishqiptar e  serbo-rus, 

u pa edhe gjatë marrjes së vendimit kundërligjor për vazhdimin e mandatit edhe për një vit të ushtruesit të drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Moravica”, i cili është një person pa kualifikim përkatës, joprofesional dhe i pa ditur, prandaj ka punësuar një pensionist 75 vjeçar, serb nga Vranja, të cilin e paguan në mënyrë të kundërligjshme komuna reth 800 euro në muaj, nga buxheti, dmth me paratë e taksapaguesve preshevarë. 

Ky analfabet është i njohur me veprime kriminale të shpërdorimit të parasë publike për blerjen e pushtetit APN-SNS, për çka duhet të përgjigjet para ligjit dhe para popullit.

Por, kulmi i cinizmit antishqiptar e jocivilizues u arrit me rastin e refuzimit të Raportit të punës së Çerdhes së fëmijëve parashkollorë “8 Marsi”, i cili ishte maksimalisht korrekt dhe gjithëpërfshirës. 

Kurse, drejtoresha e këtij institucioni parashkollor, një zonjë e nderuar dhe shumë e respektuar nga qytetarët e kësaj komune, u sulmua pa kurrëfarë të drejte dhe fakti e argumenti, në mënyrë shizofrenike e paranojake nga një këshilltare militante e këtij koalicioni të turpshëm e antishqiptar, pa fije turpi dhe pa konsiderata njerëzore e civilizuese.

Mjerisht, në rastin e pushtetit lokal të Komunës së Preshevës vlen thënia e gjeniut gjerman, Albert Ajnshtajn, se:

“Demokracia është sistem politik në të cilin dy budallë vlejnë më tepër se një i mençur”!









Sunday, October 21, 2018

Misioni antishqiptar serbo-rus në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të Shqiptarve në Serbi 

IMG_2068.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni


Pas dështimit të përmbysjes së pushtetit legjitim e proeuropian në Mal të Zi, si dhe fushatës së egër antiamerikane e anti europiane gjatë referendumit të 30 shtatorit 2018, në Maqedoni dhe “korrigjimit” të tij që pasoi me votimin pro të 2/3  më 19 tetor në Parlament, mësyerja Serbo-Ruse është orientuar dhe mobilizuar në Luginën e Preshevës.

Pra, më 4 nëntor 2018 do të mbahen zgjedhjet për legjislaturën e tretë me radhë për Këshillin Nacional të Shqiptarve në Serbi. 

Dihet mirëfilli fakti se mbi 100.000 (njëqind mijë) shqiptarë aktualisht jetojnë në Serbi, pjesa më e madhe e të cilëve jetojnë në tri komuna kufitare me Kosovën: në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Presheva dhe Bujanoci, që përbëjnë dy komuna me shumicë shqiptare dhe pushteti lokal qeveriset prej tyre. 

Këto dy komuna kanë rënë nën Serbi nga vjeshta e vitit 1912, dmth së bashku me Kosovën, me Luftën e Parë Ballkanike dhe kanë kaluar 106 vjet të plota, kurse Kosova reth 87 vjet (1912-1999), nën regjimin e egër, jocivilizues, barbar e gjenocidal të Serbisë.

Kurse, Medvegja ka rënë nën regjimin e Serbisë 140 vjet më parë, dmth nga Lufta Ruso-Turke e vitit 1876-1878, kur ushtria turke pëson disfatë dhe Serbia bënë spastrimin etnik të reth 750 fshatrave e qyteteve të banuara me shumicë shqiptare në Serbi.

Pas Luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe Luftës së UÇPMB-së 2000-2001 në Luginë të Preshevës, pushtetin lokal e fituan edhe shqiptarët e Komunës së Bujanocit, kurse shqiptarët e Komunës së Preshevës që nga viti 1992 qeverisnin me pushtetin lokal.

Meqë komuna e Medvegjës, në kohërat më të mira kishte reth 1/3 e popullatës së kësaj komune, ata nuk e kanë arritur shumicën asnjëherë, sidomos pas shpërnguljeve të mëdha të shqiptarve pas vitit 1999. Prandaj, ata mezi arrijnë që ta kenë postin e zëvendëskryetarit në Komunë.

Pikësynim kryesor i Serbisë gjithëmonë ka qenë që ta pamundësoj ose ta relativizoj e ta sfidoj maksimalisht organizimin e pavarur politik të shqiptarve në Serbi, që me vendosjen e sistemit pluralist, dmth shumëpartiak, udhëhiqej nga partitë politike shqiptare, të prira nga PVD e Riza Halimit, që shtrihej me organizim të parë të mirëfilltë politik në tërë Luginën, 

të pavarur nga Beogradi e Leskovci.

Në këtë drejtim, Serbia nuk ka pushuar asnjëherë së vepruari me tërë aparaturën shtypëse shtetërore, dmth me policinë, gjyqësinë dhe gjykatat e ligjet diskriminuese e antishqiptare, por dhe me politikën akuzuese se “shqiptarët paraqesin element të rrezikshëm ndaj shtetit”, duke bërë çmos për t’i anatemuar dhe për t’i akuzuar për çdo gjë. 

Në rend të parë, Serbisë i pengonte në mënyrë ekstreme uniteti i veprimit politik të shqiptarve. Prandaj, me oferta dhe me trysni të ndryshme, sipas metodës së “shkopit dhe karrotës (štap i šargarepa), nxiste përçarjen dhe pretendonte t’ia fusë thikën mes veti shqiptarve. Sidomos gjatë periudhës së fundit, dmth pas hapjes së bisedimeve për pranimin e Serbisë në BE, kur i ishin shtruar shumë detyra dhe obligime për plotësimin e standardeve, ndër të cilat është Kapitulli 23 dhe 35, që përcaktojnë obligimet e Serbisë ndaj të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, aë aktualisht përbëjnë mbi një milion banorë, apo reth 13% të popullatës së Serbisë, që janë të organizuar në 21 Këshilla Kombëtare.

Hapi i parë destruktiv i Qeverisë neoshesheliste të Aleksandar Vuçiqit ishte keqpërdorimi i bojkotimit të Regjistrimit të Popullsisë të vitit 2011 prej shqiptarve të Luginës së Preshevës, për t’i degraduar institucionet e drejtësisë, duke i abroguar gjykatat dhe prokuroritë, pastaj edhe ato ekonomike, duke i mbyllur të gjitha bankat komerciale e afariste, me përjashtim të njërës prej tyre, e cila është e afërtë me pushtetin dhe aplikon tarifa enorme plaçkitëse e diskriminuese ndaj popullatës dhe bizneseve e subjekteve afariste, meqë ka pozitë monopoliste, sidomos në Preshevë.

Terrenin politik për këto masa diskriminuese ndaj shqiptarve në Luginë të Preshevës, Serbia e kishte përgatitur sidomos gjatë periudhës pas themelimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarve në zgjedhjet e 6 qershorit 2010.

Asokohe, shqiptarët ishin të ndarë, meqë vetëm PVD dhe UDSH morën pjesë në këto zgjedhje, kurse PDSH dhe partitë “satelite” reth saj, i bojkotuan.

 Por, meqë për zgjedhjet e dyta për Këshillin Kombëtar morën pjesë të gjitha partitë shqiptare, Serbia e reduktoi numrin e këshilltarëve të KKSH-së, nga 29, në 15, dmth e përgjysmoi, duke e përgjysmuar edhe buxhetin, dmth fincimin e KKSH-së, me arsyetimin banal e fashist, se në Serbi jetojnë vetëm 5809 shqiptarë, bazuar në regjistrimin e bojkotuar të shqiptarve të vitit 2011.

Kështu, Serbia i radhiti shqiptarët me pakicat kombëtare që kanë më pak se 10 mijë pjesëtarë, duke i degraduar e diskriminuar ata skajshmërisht!

Por, as kjo nuk i mjaftoi Qeverisë Neoshesheliste të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit në Beograd dhe paralelisht përgatiti rrënimin e pushtetit lokal në Preshevë, duke e shkarkuar kryetaren e Komunës, zonjën Ardita Sinani dhe vendosi masat e dhunëshme me “Organin e Përkohshëm” APN-SNS, në krye me argatin e vet të devotshëm antishqiptar, Shqiprim Arifin, të cilin e financoi dhe mbështeti në mënyrë të paskrupulltë edhe financiarisht për t’i blerë zgjedhjet e ardhëshme lokale, duke e siguruar koalicionin bashkëqeverisës APN-SNS.

Ndërkaq, tani Serbia për zgjedhjet e treta për KKSH të 4 nëntorit 2018, është kujdesur që ta përdor të ashtuquajturën “Amza e Shqiptarve” me seli në Novi Sad, të dirigjuar nga SNS-i  i Aleksandar Vuçiqit, si dhe me njëfarë biznesmeni nga Medvegja, që për këto zgjedhje ka dalur si “i pavarur”, dhe ka sponzoruar disa media tezën se “KKSH-në kësaj radhe duhet ta udhëheq Medvegja”.

Natyrisht se atyre u bashkangjitet edhe koalicioni APN-SNS i Preshevës dhe u është sugjeruar nga Beogradi që ta mbajnë sekret, meqë pretendojnë në votat e shqiptarve në këto tri komuna, por edhe në votat e shqiptarve të shpërndarë gjithandej nëpër Serbi.

Qëllimi kryesor i tyre do të jetë ndryshimi i pamjes së Flamurit tonë kombëtar, duke vendosur përmbajtje të reja dhe duke e gjymtyar e përdhosur atë, synojnë që ta bëjnë të papërdorshëm dhe praktikisht të ndaluar për përdorim nga shqiptarët e Luginës, duke i fajësuar pastaj ata se “vullnetarisht kanë hequr dorë nga përdorimi i simboleve kombëtare shqiptare”.

Pastaj, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe informin arsimin shqip do ta degradojnë dhe ta vejnë nën tutelën e regjimit antishqiptar e anticivilizues të Serbisë dhe njëkohësisht, me ndihmën e disa subjekteve politike të shqiptarve të Luginës pretendojnë që të mbeten të pandëshkuar nga Unioni Europian, anëtarë të të cilit Serbia synon të bëhet, duke i diskriminuar e duke i shtypur sistematikisht shqiptarët.



Sunday, September 9, 2018

Vuçiqi (s) është si Millosheviqi, kurse Thaçi?!


IMG_2068.jpeg

Shkruan: Nehat Hyseni 


Vizita dy ditore e Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 8 e 9 shtator 2018, në Republikën e Kosovës paraqet një pandan apo sfidim të hapur ndaj tubimit masiv të Sllobodan Millosheviqit 29 vjet më parë, më 28 qershor 1989, në Gazimestan, me rastin e kremtimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, dmth disfatës katastrofale të forcave ballkanike, nën komandën e “car” Llazarit - serb nga fshati Përlepnicë i komunës së Gjilanit.

Meqë asokohe, ushtria osmane e sulltan Muratit, sipas historianëve eminent, i asgjësoi keq në fushëbetejë, madje për vetëm pak orë, duke i masakruar deri në shfarosje.

Ky debakëll ushtarak në këtë fushëbetejë, u shndërrua në mit për serbët, të cilët vajtuan që nga ajo ditë dhe mbi këtë mit ushqyen ëndrrën e tyre të madhe për “kthim dhe hakmarrje” në Kosovë, duke pretenduar se ata ishin “mburojë” e krishterizmit dhe civilizimit europian, kundër depërtimit të civilizimit osman dhe Islamit në Ballkan dhe në Europë.

Natyrisht se serbët “harrojnë” se në Betejën e Kosovës ishin edhe ushtritë shqiptare me tre princa si komandantë, si dhe ushtritë tjera ballkanike: hungarezët, boshnjakët, kroatët, etj. 

Gjithashtu, serbët qëllimisht harrojnë faktin se pas kësaj Beteje, ata u nënshtruan turpshëm dhe u shndërruan në vasalë besnikë të Perandorisë Otomane, madje duke tradhëtuar kauzën fetare e kombëtare të krishterizmit, duke u vënë në shërbim të plotë të Sulltanit, si servilë besnikë dhe të përbuzur të tij.

Këtë realitet kontraverz deri në absurd të historisë 610 vjeçare serbe, pra, Sllobodan Millosheviqi 29 vjet më parë e shfrytëzoi që nga foltorja e vendndodhjes së përmendores së Gazimestanit, t’i shpallë luftë shqiptarve, sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, etj. Pra, realisht i shpalli luftë të gjitha kombeve dhe të paralajmëroj rrënimin e Jugosllavisë së Titos me luftrat e përgjakëshme e gjenocidale që pasuan gjatë viteve të nëntëmbëdhjeta të fundshekullit XX, që përfunduan pikërisht aty ku filluan, dmth në Kosovë.

Sllobodan Millosheviqi asokohe pësoi disfatë, mbase disfatën më të madhe serbe, që nga Beteja e Kosovës në vidovdanin e vitit 1389, sepse u ngrit kundër të gjithëve. 

Prandaj, Millosheviqi u mund nga të gjithë kombet e Jugosllavisë dhe, sidomos në Bosne dhe në Kosovë, edhe me bombardimet e aleancës më të madhe ushtarake të botës demokratike, NATO-s.

Pra, Millosheviqi gaboi rënd në vitin 1989 kur mendoi se do ta ketë botën demokratike si aleat të vetin në marshimin e tij fashist kundër shqiptarve dhe boshnjakëve e të tjerëve me avazin vetmashtrues se “Serbia në Kosovë po i mbronë vlerat e civilizimit europian”. 

Natyrisht se Sllobodan Millosheviqi e pësoi keq, duke e humbur Jugosllavinë, të cilën me anë të Armatës Jugosllave pretendonte që ta impononte si Serbosllavi.

Këtë dështim të Sllobodan Millosheviqit dhe këtë pësim të politikbërjes hegjemoniste serbe, Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij 50 minutësh, pikërisht në mesditën e 9 shtatorit 2018 (e diel), në Mitrovicë të Veriut, u përpoq me përkushtim maksimal ta paraqes si “mësim”.

Pra, Aleksandar Vuçiqi u përpoq që dërgoj një mesazh të fuqishëm tek serbët e Kosovës se është hiç më pak nacionalist e antishqiptar se Millosheviqi dhe se do i mbrojë ata “poqese është e nevojshme edhe me luftë”. 

Përkundrazi, Aleksandar Vuçiqi paralajmëron se këtë do e bëjë me “bashkëpunim të ngushtë” me botën, e jo siç veproi Millosheviqi duke luftuar kundër botës demokratike.

Pra, mund të konkludojmë se Aleksandar Vuçiqi pretendon që ta bindë botën se, jo vetëm që politikbërja e tij është e ndryshme nga ajo e Millosheviqit, por se pretendon se është plotësisht e ndryshme nga ajo e Sllobodan Millosheviqit, duke dërguar mesazhin se don “bashkëpunim e jo luftë me botën”, në misionin e tij për ruajtjen e pranisë serbe në Kosovë, duke e deklaruar Kosovën si tokë serbe, por që duhet ndarë me shqiptarët.

Pra, dallimi i vetëm midis Millosheviqit dhe Vuçiqit, sipas deklarimit të këtij të fundit, është jo lufta kundër botës, siç veproi (dhe dështoi) Millosheviqi, por bashkëpunimi me botën dhe dialogu e marrëveshja me shqiptarët. Kuptohet, duke mos pranuar Pavarësinë dhe Sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës!

Përndryshe, e tërë simbolika e vizitës së Vuçiqit kishte të bënte me porosinë për ndarjen e veriut të Kosovës: Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, dhe për “garantimin” e sigurisë për serbët në jug të lumit Ibër: Graçanicës, Parteshit, Kllokotit, Ranillugut, etj., për të cilët do të themelohej i ashtuquajturi Asociacion i Komunave me shumicë serbe.

 Ky është propozimi i Serbisë për “përkufizimin etnik” midis shqiptarve dhe serbëve në Kosovë!

Pas kësaj vizite të Vuçiqit në Kosovë, analistët serbë vlerësojnë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka hyrë në një “fazë të re”, që pretendon të dëgjoj “propzime të reja” nga pala shqiptare.

Sipas të gjitha gjasave, këto “propozime të reja” nga pala kosovare konsistojnë në propozimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçiit, për “bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovës. 

Këtë “ propozim” Thaçi nuk arriti që ta paraqes zyrtarisht më 7 shtator 2018, në Bruksel, meqë homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq nuk pranoi të takohet me te.

Natyrisht se, “propozimi” i palës kosovare për marrëveshjen finale midis Serbisë dhe Kosovës pritet që të bëhet me anë të vizitës (së parë), të paralajmëruar, por akoma të pakonfirmuar, të Presidentit Thaçi gjatë javës së ardhëshme në Luginë të Preshevës, së bashku me përfaqësuesin e Unionit Europian, Johanes Han.

Gjykuar sipas logjikës së ngjarjeve të fundit, kjo vizitë e e paralajmëruar dy ditore e Thaçit në Luginë të Preshevës, për Aleksandar Vuçiqin do ishte e nevojëshme dhe e mirëseardhur për te poaq, mbase edhe më tepër seç ishte vizita e fundit e Vuçiqit në Kosovë, meqë ka të bëjë me “paktin” për shkëmbim e territoreve midis Veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, që sa duket, gjithënjë e më tepër po na serviret si “akt i kryer” që ka zanafillen nga “babai” i kombit serb, Dobrica Qosiq, Ivica Daçiqi dhe së fundi nga Aleksandar Vuçiqi, të cilin po e mbështesin, madje edhe po e rekomandojnë gjithënjë e më tepër fuqitë botërore të vendosjes, madje edhe shumë miq tanë ndërkombëtarë.

Monday, August 20, 2018

IMG_1641.JPG

             G  Ë  Z  U  A  R

FESTËN E KURBAN BAJRAMIT


Të gjithë shqiptarve dhe besimtarëve myslimanë, kudo që janë, i urojmë Gëzuar FESTËN E KURBAN BAJRAMIT.

Urojmë që kjo festë e bekuar të festohet në mirëqenie e begati dhe mirësi në të gjitha familjet. Urojmë që Lugina e Preshevës të gëzoj fat dhe si e tërë, pa u copëtuar asnjë pëllëmbë tokë e bekuar e saj, ti bashkohet Kosovës dhe të realizohet Vullnet tyre politik i shprehur në Referendumin e 1 e 2 marsit 1992, si dhe reciprociteti i plotë i të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarve të Luginës së Preshevës me serbët e Kosovës.

Zoti i Madhëruar i bekoftë të gjithë myslimanët dhe shqiptarët, kudo që janë!


Kryetari i SHQLPK-së,

Mr. Nehat Hyseni


Në Prishtinë 

Më 20 gusht 2018